SHFAQJA E FRUTHIT NË MAL TË ZI ËSHTË ÇËSHTJE DITËSH

Mjekët paralajmërojnë se është vetëm çështje ditësh kur lija do të shfaqet në Mal të Zi. Ata thonë se është një nga sëmundjet më ngjitëse që mund të jetë edhe fatale, për këtë arsye u bëjnë apel prindërve që sa më shpejt t’i çojnë fëmijët për të marrë vaksinën. Vaksinimi rekomandohet për fëmijët më të rritur si dhe për të rriturit. Niveli i pamjaftueshëm i vaksinimeve dhe rastet e para të sëmundjes në rajon hapin derën për shfaqjen e lisë edhe në Mal të Zi. Sipas ekspertëve, epidemia mund të shpërthejë brenda natës, pasi një person i infektuar mund ta transmetojë virusin tek 12 deri në 18 persona të pavaksinuar. “Është shumë e sigurt që tashmë kemi fëmijë që kanë ardhur këtu gjatë pushimeve dhe kanë shkuar në vendet fqinje dhe ka mundësi që të jenë sëmurur tashmë atje”, tha pediatri Nebojsha Kavariq. “Ambjenti ynë tashmë po regjistron rastet e para dhe nga Covid mësuam se është shumë e vështirë të shpëtojmë nga sëmundjet infektive”, tha Milena Popoviq Samarxhiq. Doktoresha Popoviq-Samarxhiq paralajmëron se lija është më e rrezikshmja për fëmijët nën moshën pesë vjeçare. Pavarësisht kësaj, në Mal të Zi, nga fëmijët e lindur në vitin 2020 vaksinën e kanë marrë 34 për qind, ndërsa tek ata të lindur në vitin 2021 janë vaksinuar vetëm 12 për qind.

SHARE