SCHOLZ: E ARDHMJA E RAJONIT ËSHTË NË BE, VAZHDONI ME REFORMAT

Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor dhe vendet e atij rajoni duhet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm drejt një të ardhmeje të përbashkët, tha sot kancelari gjerman Olaf Scholz në hapjen e samitit të Procesit të Berlinit.

Scholz thekson se të gjithë e dinë se sa rajoni i Ballkanit Perëndimor është ende i rënduar nga konfliktet e së kaluarës dhe se është koha për t’i kapërcyer ato dhe për ta kthyer rajonin drejt së ardhmes.

“Prandaj dua t’u them miqve tanë nga Beogradi dhe Prishtina, mos lejoni që e kaluara t’ju kthejë prapa nga rruga drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë. Unë jam ende i bindur se ajo e ardhme është në BE dhe se ka vetëm një mënyrë për të arritur atje – zbatimin e plotë të marrëveshjeve që keni arritur tashmë. Ne jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në frymën e bashkëpunimit dhe mjeteve paqësore. Kjo është ajo që përfaqëson Procesin e Berlinit”, tha Scholz.

Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi zhbllokimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë CEFTA sepse, siç tha ai, mundëson aktivizimin e disa marrëveshjeve të tjera, si marrëveshjet për lejet e punës dhe rrugët e tregtisë elektronike.

Në samit muar pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe përfaqësues të nëntë vendeve të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare.

Shefja e Komisionit Evropian deklaroi se në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit “është mirë të jemi në Berlin me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor”.

“Të shikojmë prapa në arritjet tona, por veçanërisht të shohim përpara. Drejt një të ardhmeje në të cilën të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë”, tha ajo në rrjetin “X” ditën e samitit.

SHARE