ZENKA: NUK EKZISTON MUNDËSIA QË UDSH TË BËHET PJESË E PUSHTETIT TË RI

Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) Mehmet Zenka tha se nuk ekziston mundësia që partia e tij të bëhet pjesë e pushtetit të ri. “E fituam ftesën nga mandatari, por UDSH nuk e sheh veten në koalicion me partitë të cilët janë tërësisht të ndryshëm me ne, të cilët janë në kolizion të madh dhe të thellë me parimet dhe pikat tona programore. Njerëzit ndryshojnë sot për nesër. Unë jam ky që jam, e ato që dëshirojnë të kalojnë nga njëra anë në tjetrën, i uroj rrugë të mbarë”, tha Zenka në deklaratë për “Pobjeda”. Genci Nimanbegu, një nga liderët e koalicionit “Lista Shqiptare – Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj”, tha për këtë gazetë se koalicioni i tij e pranoi ftesën e mandatarit për bisedime. “Pranuam ftesën të bisedojmë, por kjo nuk do të thotë se jemi dakorduar. A do të hyjmë në pushtet varet nga këto bisedime, nga programi i tyre, nga më shumë faktorë”, tha ai. Siç mëson “Pobjeda”, përfaqësuesit e Listës Shqiptare do të takohen të ënjten me mandatarin e caktuar, Zdravko Krivokapiq, për të diskutuar mbi formimin e Qeverisë së re.

SHARE