KATASTROFA NË LIBI, 20 MIJË TË MBYTUR

Pas përmbytjeve të tmerrshme, në Libi vazhdon gjendja e jashtëzakonshme dhe nevoja për ndihma humanitare është urgjente.

Numri i viktimave të katastrofës vazhdon të rritet ndjeshëm. Vetëm në qytetin e Darna të vdekurit llogariten me mijëra.

“Ne presim një numër të lartë viktimash. Po të shohim shkatërrimet në lagjet e Darnas mund të jenë 18.000 deri në  20.000 viktima” deklaroi kryetari i bashkisë Abdel-Moneim al-Gheity për televizionin Al-Arabija.

Pikërisht në afërsi të Darnas u shembën dy diga, lagje të tëra të qytetit me 100.000 banorë u morën me vete nga ujërat. Rrugë të tëra janë zhytur në baltë. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar, por shpresat janë të pakta.

Organizata Gjermane e Ndihmës Teknike ka organizuar ndërkohë ndihmat e para humanitare që pritet të mbërrijnë të enjten në vend. Sipas organizatës bëhet fjalë për 100 çadra me ndriçim, 1000 krevatë portativë, 1000 jorganë dhe shumë gjeneratorë të rrymës elektrike. Edhe organizata “Mjekët pa kufij” ka bërë të ditur dërgimin e një ekipi mjekësh në qytetin e goditur rëndë nga katastrofa, Darna.

Një mjek libian tha, se “kemi nevojë thjesht për njerëz që e kuptojnë situatën, për ndihmë logjistike, qen që nuhasin njerëzit dhe i nxjerrin nga rrënojat. Kemi nevojë për ndihma humanitare, njerëz që vërtet e dinë se ç’duhet bërë.”

SHARE