CAMAJ: NDARJA ME PDOGORICËN, SFIDË PËR TË GJITHË

Kryetari i LDSH-së, Nikollë Camaj, deklaroi se që nga 01 shtatori, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit mbi organizimin territorial të Malit të Zi dhe të Ligjit mbi Kryeqytetin, Tuzi formalisht fitoi statusin e komunës së plotë.

Mirëpo, sipas tij hyrja në fuqi e një ligji, nuk do të thotë shumë, nëse ai nuk implementohet, e që siç thekson ai , në Malin e Zi ka dhjetëra ligje të „hyra në fuqi“, por që kurrë nuk dhanë asnjë rezultat.

“Dua të shpresoj se ligjet e fuqizuara me 01 shtator nuk do të kenë një fat të tillë. Mirëpo, fakti se implementimi është në duart e atyre të cilët ishin kundra ndryshimit të statusit, zvarritje dhe obstruksion edhe mund të ketë. Megjithatë, dua të var shpresën te fakti se shpallja e zgjedhjeve është obligim i presidentit, i cili këtë ua ka premtuar adresave relevante ndërkombëtare, dhe shpresoj se nuk varet shumë nga disponimi politik i akterëve lokal të Tuzit.   Mirëpo, edhe përkundër kësaj, zor se “Brexiti ynë” kalon pa pasoja për të ardhmen e këtij vendit. Vet fakti se komisionet të cilat duhet të bëjnë ndarjen e pasurisë dhe korrigjimin e kufijve do të përbëhen nga struktura të njëjta politike, të cilat kanë pushtetin edhe në Tuz edhe në Podgoricë, ku dominon rryma PDS-boshnjakë, flet shumë në favor të këtij dyshimi. Dyshimin e shton edhe fakti se vende kyçe të këtij pushteti, edhe me emërimet e reja, po vazhdojnë të mbulohen me persona e politika të deklaruara kundër pushtetit të plotë lokal. Atyre nuk u pengon që të përfitojnë nga statusi i ri, edhe pse në dëm të popullatës shumicë-autoktone. Çështje është vetëm te pragu i durimit, i atyre që përmes komunës mendonin për të realizuar ëndrrën shekullore të popullatës autoktone të Malësisë, për të qeverisur me resurset e veta, dhe për të vendosur për të ardhmen e vet”, deklaroi Camaj.

SHARE