Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, e cilësoi 14 korrikun si një “Super të Martë” për procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se, për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit brenda së njëjtës ditë.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social X, Kos vlerësoi përparimin e vendeve kandidate, duke bërë të ditur se Shqipëria do të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit, me mbylljen e tre kapitujve të negociatave.
“Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e BE-së. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po mbajmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që janë në krye të procesit- Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi- po hedhin të gjitha hapa të rëndësishëm përpara.
Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt. Tani, ky momentum i krijuar sot duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, shkruan Kos.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të formalizojë mbylljen e kapitullit 25 (Shkenca dhe Kërkimi), kapitullit 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe kapitullit 30 (Marrëdhëniet me Jashtë), fusha që tashmë janë harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian.
Institucionet evropiane kanë vlerësuar progresin në reformat kyçe, veçanërisht në fushën e drejtësisë, administratës publike dhe përafrimit të legjislacionit me acquis të BE-së, ndërsa autoritetet shqiptare kanë shprehur synimin për të përmbyllur negociatat teknike brenda vitit 2027, me objektivin për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në fund të dekadës, nëse ritmi i reformave vijon dhe plotësohen të gjitha kriteret e kërkuara.









