BE-ja DËNON DEKLARATËN E MINISTRES SERBE PËR SPASTRIMIN ETNIK NË KOSOVË

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, deklaroi se BE-ja nuk komenton deklaratat individuale të politikanëve, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik.

Sipas saj, deklarata të tilla janë në kundërshtim me vlerat themelore të Bashkimit Evropian, si dinjiteti njerëzor, pajtimi, llogaridhënia dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Hipper shtoi se ato bien ndesh edhe me angazhimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke u bërë thirrje liderëve të shmangin retorikën nxitëse.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999, u vranë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit.

SHARE