BEGAJ: INTEGRIMI NË BE I VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR, INVESTIM NË SIGURI TË QËNDRUESHME

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e tij gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të mbajtur në Shkup, bëri thirrje për forcim të bashkëpunimit rajonal përballë sfidave të reja dhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Para krerëve të shteteve dhe qeverive nga 13 vendet anëtare të kësaj nisme, Presidenti i Shqipërisë deklaroi se në kontekstin e sfidave të reja gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit rus kundër Ukrainës dhe mundësive të rritura për ndërhyrje nga aktorë të tretë në rajon, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi më të madhe sigurie për BE-në.

“Përparimi i procesit të integrimit në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor, – vlerësoi Presidenti Begaj, do të thotë investim në siguri të qëndrueshme”.

Presidenti i Republikës, gjithashtu renditi reformat e ndërmarra nga Shqipëria në përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për të avancuar drejt anëtarësimit në BE. Ai u shpreh se është arritur progres i konsiderueshëm në fushat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, dëshmi e angazhimit ndaj standardeve dhe parimeve të Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë samit, Presidenti i Shqipërisë vlerësoi pozitivisht rezultatet e riaktivizimit të Procesit të Berlinit dhe planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, si një shtysë për integrimin ekonomik rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian.

”Ne kemi një mundësi para nesh për të rritur integrimin ekonomik me tregun e vetëm të BE-së dhe, në të njëjtën kohë, të nxisim integrimin ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal”, – u shpreh Presidenti Begaj.

“Tregu i Përbashkët Rajonal i Ballkanit Perëndimor po shërben si një portë hyrëse drejt Tregut të Vetëm Evropian”, – deklaroi Presidenti i Shqipërisë, duke theksuar se Plani i ri i Veprimit i Tregut të Përbashkët Rajonal 2025-2028 do të krijojë ambientin e duhur për të siguruar zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Mobilitetit.

Në këtë samit, një vlerësim të veçantë Presidenti Begaj përcolli ndaj Shkupit për suksesin e arritur gjatë kryesimit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), kryesim i cili i kalon Tiranës për periudhën 2024-2025.

SHARE