SHQIPËRIA, VEND ME RREZIK TË LARTË NGA FATKEQËSITË NATYRORE

Në Shqipëri po shtohet shqetësimi për rrezikun në rritje nga fatkeqësitë natyrore, veçanërisht tërmetet dhe zjarret, ndërkohë që niveli i sigurimit vullnetar të banesave mbetet shumë i ulët.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se Shqipëria mbetet ndër vendet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore në Europë, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, ku rreth 86% e territorit dhe mbi 88% e popullsisë janë të rrezikuara nga këto fenomene. Ajo ka kujtuar gjithashtu koston e lartë të tërmetit të vitit 2019, e cila për financat publike arriti rreth 1 miliard euro.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vetëm rreth 5% e banesave në vend janë të siguruara, shifër që mbetet ndjeshëm nën mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.

Drejtoresha e AMF-së, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Adela Xhemali, ka theksuar se sot zjarret, tërmetet dhe fatkeqësi të tjera po rrezikojnë sigurinë ekonomike të vendit dhe se sigurimi i pronës duhet të rritet si pjesë e standardeve të BE-së. Ajo shtoi se një treg i fortë sigurimesh është tregues i rëndësishëm i stabilitetit financiar të shtetit.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, ka deklaruar se në rast fatkeqësish natyrore, dëmet shpesh janë mbuluar nga buxheti i shtetit, donatorët ose kreditë e huaja, duke krijuar presion mbi stabilitetin financiar. Ajo përmendi gjithashtu tërmetin e vitit 2019, ku dëmi arriti në rreth 1.1 miliard dollarë, si dhe pasojat e mëvonshme nga zjarret dhe përmbytjet.

Në këtë kuadër, është hartuar një projektligj i ri që synon të bëjë të detyrueshëm sigurimin e pronës për qytetarët.

Drafti ndodhet aktualisht në konsultim publik dhe po punohet për përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Europian, me qëllim rritjen e mbrojtjes financiare të qytetarëve dhe uljen e barrës mbi buxhetin e shtetit në rast fatkeqësish natyrore.

SHARE