ME 114 VOTA MIRATOHET PROJEKT-REZOLUTA PËR INTEGRIMIN EVROPIAN TË SHQIPËRISË

Mazhoranca dhe opozita kanë votuar njëzëri projekt-rezolutën për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Me 114 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim të Bujar Leskajt, deputetët e PS dhe PD arritën konsensusin mbi këtë dokument.

Rezoluta parashikon bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe angazhim të përbashkët për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ajo thekson nevojën për dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, me synim garantimin e një konsensusi kombëtar mbi prioritetet europiane.

Konsensusi mes palëve politike është një nga rastet e pakta të bashkëpunimit të gjerë në Kuvend për çështje të integrimit evropian, duke sinjalizuar një qëndrim të unifikuar përballë procesit të negociatave me BE-në.

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka reaguar pas votimit me 114 vota pro të projekt rezolutës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në një postim në “X”, Hoxha shkruan se votimi i sotëm është një shenjë e pjekurisë politike dhe demokratike.

Ai thekson se ky votim përbën një moment me rëndësi të veçantë politike dhe kombëtare.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv strategjik kombëtar që na bashkon përtej dallimeve politike theksoi ministri i Jashtëm, që sipas tij është në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët evropiane për vendin dhe qytetarët tanë.

SHARE