Vizita e Presidentit të Malit të Zi Millo Gjukanoviq në Gjeorgji do të konfirmojë marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe do të kontribuojë në intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit, u vlerësua gjatë një bisede telefonike midis Gjukanoviqit dhe Presidentes Gjeorgjiane Salome Zourabishvili.
Siç u njoftua nga kabineti i Gjukanoviqit, ai bisedoi me Zourabishvilin në lidhje me shtyrjen e vizitës së tij zyrtare në Gjeorgji, e cila ishte planifikuar për fillimin e qershorit.
Gjukanoviq falënderoi presidenten e Gjeorgjisë për iniciativën për bisedën dhe konfirmoi interesin e tij për vizitën sa më shpejt të jetë e mundur pas stabilizimit të situatës dhe vendosjes së kushteve të sigurta për udhëtime.
Ata shkëmbyen informacione mbi situatën aktuale të shkaktuar nga koronavirusi dhe vlerësuan se situata në të dy vendet është nën kontroll falë reagimit në kohë të institucioneve kompetente.
Nga kabineti i Gjukanoviqit theksuan që të dy vendet do të përqendrohen tani në rimëkëmbjen ekonomike, veçanërisht turizmin, i cili është industria kryesore e Malit të Zi dhe Gjeorgjisë.
Bashkëbiseduesit ranë dakord se kriza ka treguar që bashkëpunimi dhe solidariteti janë më të rëndësishëm në këto kohë se kurrë, si dhe shkëmbyen mendime për rëndësinë e integrimit evropian për stabilitetin dhe zhvillimin dinamik të Malit të Zi dhe Gjeorgjisë dhe stabilitetin e përgjithshëm të Evropës.
Vizita e ardhshme do të jetë një mundësi për bisedime më të hollësishme për çështje të rëndësishme reciproke rajonale dhe globale.