ESCOBAR: ÇDO VEND QË I BASHKOHET BE-së PO BËHET MË DEMOKRATIK

Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherësh i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian BE-së. Në një intervistë për gazetën greke To Vima, Escobar u shpreh se vender e Ballkanit Perëndimor tashmë janë evropiane kulturalisht, historikisht dhe gjithnjë e më shumë ekonomikisht. “Çdo vend që i bashkohet BE-së po bëhet më demokratik, më i qëndrueshëm dhe më i begatë,” tha ai, duke shtuar se politika e SHBA-ve për këtë çështje mbetet e pandryshuar. Së fundmi zyrtari amerikan ndodhej në Greqi, ku u takua me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme greke, ndërsa mori pjesë edhe në Forumin e Delfit. “Ajo që karakterizon tani Ballkanin Perëndimor është rritja ekonomike mbresëlënëse. Është pjesa me rritjen më të shpejtë të BE”, thekson Escobar në interivistë. Shqetësimi i madh amerikan për Ballkanin Perëndimor bazohet në ndikimin e vendeve të treta. “Jam shumë i shqetësuar për ndikimet keqdashëse ruse dhe kineze. Unë nuk e përfshij Turqinë në këtë kategori. Turqia është një anëtare e NATO-s, ajo ndihmon në ruajtjen e paqes në Bosnje-Hercegovinë, gjithashtu ka punuar shumë për të sjellë investime në rajon”, thekson ai.

SHARE