SPAJIQ: SHUMICA PARLAMENTARE ËSHTË E QËNDRUESHME

Kandidati i ministrit të Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, nuk i ka plotësuar kushtet për ushtrues detyre të drejtorit të Drejtorisë së Policisë, dhe Qeveria nuk është e obliguar të zgjedhë kandidatin e Sharanoviqit për atë pozitë dhe unë propozova një kandidat me referenca më të mira, tha sot në një konferencë për media kryeministri Millojko Spajiq.

Duke komentuar situatën politike në vend, kryeministri tha se pyetja për Demokratët është nëse do të mbeten në Qeveri.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Demokratët largohen nga Qeveria dhe kush do t’i zëvendësojë ata përfundimisht, Spajiq është përgjigjur se shumica parlamentare është e qëndrueshme.

“Nuk kam marrë asnjë informacion se do të ketë ndonjë ndryshim”, tha kryeministri.

Ai ka theksuar se nuk ka paqëndrueshmëri në skenën politike.

“Është e vërtetë që ka pasur diskutime të nxehta, por kjo është normale”, tha Spajiq.

Qeveria nuk është e detyruar të zgjedhë një kandidat të propozuar nga ministri

Duke iu referuar ngjarjeve me rastin e zgjedhjes për ushtrues detyre të drejtorit të Drejtorisë së Policisë, Spajiq tha se Ligji për Punë të Brendshme mandaton që Qeveria të caktojë kandidatin që i plotëson kushtet. I pyetur nëse do të iniconte shkarkimin e Sharanoviq, ai u përgjigj se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë ankesë formale.

“Ne nuk kemi pasur ankesa formale nga Sharanoviq, as raportime. Nuk do të komentoja më tej,” tha Spajiq.

Duke komentuar zgjedhjen e ushtruesit të detyrës për drejtor të Drejtorisë së Policisë, tha se ligji e parasheh qartë që Qeveria të propozojë njërin nga kandidatët.

“Qeveria nuk është e detyruar të zgjedhë një kandidat të propozuar nga ministri. Propozimi i ministrit të Brendshëm nuk ka pasur shumicën dhe kjo nuk është asgjë e tmerrshme. Qeveria ka detyrim kushtetues të merret me sigurinë kombëtare të shtetit. Përgjegjësia komanduese e organit të udhëhequr nga drejtori i policisë është jashtëzakonisht e rëndësishme”, përfundoi Spajiq.

SHARE