NJË TËRMET ME MAGNITUDË 5.4 BALLË TË SHKALLËS RIHTER KA GODITUR MALIN E ZI

Një tërmet me magnitudë 5.4 ballë të shkallës Rihter ka goditur Malin e Zi mëngjesin e sotëm në orën 04:06.

Epiqendra e tërmetit ishte pesë kilometra në jugperëndim të qytetit të Qaragje, rreth 30 kilometra nga Nikshiq, në kufirin me Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Forca e këtij tërmeti në hipoqendër (fokus) ishte 5.4 njësi të shkallës Rihter, që korrespondon me intensitetin epiqendror të VII të shkallës Mercalli (MCS). Epiqendra e këtij tërmeti ka qenë në një thellësi prej 14 kilometrash”, thuhet në njoftimin e Institutit të Sizmologjisë.

Bazuar në modelin numerik të ndryshimit të intensitetit me distancën në këtë rajon, magnitudën e tërmetit dhe thellësinë e hipoqendrës, ky tërmet mund të kishte shkaktuar disa dëme materiale në zonën epiqendrore.

Qeveria e Malit të Zi do të ndihmojë në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i mëngjesit të sotëm në komunën e Nikshiqit.

Siç thuhet në njoftim, Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, i kryesuar nga Vlladimir Jokoviq, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, do të shqyrtojë situatën në terren dhe do të marrë vendime për veprime të mëtutjeshme në përputhje me procedurat e parapara.

SHARE