MIJËRA QYTETARË MBLIDHEN NË TIRANË PËR DITËN E VERËS

Dita e verës mblodhi në Tiranë me mijëra qytetarë.

Favorizuar dhe nga moti i ngrohtë me diell, ata shijuan aktivitetet e shumta që u organizuan.

Muzikë, lojëra për fëmijë, stenda me ushqime dhe produkte tradicionale, lojëra sportive apo ekspozitë me piktura dhe makina retro ishin vetëm disa aktivitetet.

Vëmendje tërhoqi edhe një tank ushtrie i pikturuar me lule në sheshin Skënderbe.

Risi e këtij viti ishte një kamion lëvizës i kthyer në skenë,  ku performuan këngëtarë si Artjola Toska, Valbona Mema, Xhensila Myrtezaj e DJ të ndryshëm.

E padyshim nuk kishte si të mungoni ballokumet dhe veroret, traditë e festës së verës. Artizanja e ballokumeve tregon sekretin e kësaj ëmbëlsire.

Më të lumturit padyshim ishin fëmijët. Gëzimi që ndjenë dhe panë sot në çdo fytyrë, duan që ta përjetojnë çdo ditë.

Festës ju bashkua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili uroi të gjithë qytetarët.

Rreth 35 aktivitete për ditën e verës, e cila simbolizon largimin e së keqes së dimrit dhe ardhjen e verës, u përqendruan tek Sheshi Skënderbe, Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi Nënë Tereza, liqeni Artificial, Pazari i ri dhe në Ish-bllok. Për mbarëvajtjen e aktivitetit deri në mesnatë u bllokua edhe qarkullimi për automjetet në disa rrugë.

SHARE