MBI 200 MILIONË EURO NGA BERZH-i PËR AUTOSTRADËN

Kryeministri Milojko Spajiq njoftoi se Mali i Zi do të marrë një grant nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) prej 200 milionë eurosh për vazhdimin e ndërtimit të autostradës.

“Nga BERZH-i kemi marrë informacione se janë të interesuar të aprovojnë një kredi prej 200 milionë euro për vazhdimin e ndërtimit të autostradës”, tha Spajiq në konferencën për media pas seancës së Qeverisë.

Ai po ashtu tha se Mali i Zi është i gatshëm të marrë pjesë në realizimin e atij projekti me mjetet e veta.

“Me hapin e sotëm nga BERZH me mbështetjen e KE-së dhe veçanërisht të komisionerit europian Oliver Varheli po hyjmë shpejt në procedurën e pjesës së parakualifikimit të kontraktorit potencial. Pra siç thonë japonezët do të kemi dy zogj me një gur”, theksoi Spajiq.

Ai shtoi se totali i grantit do të jetë 40 për qind dhe se ende nuk dihen kushtet e kredisë.

“Do të jetë nën çmimet e tregut”, tha Spajiq.

Ai shtoi se u vjen keq për fushatën publike që qeveria po refuzon ofertat e favorshme për financim.

“Fakti që kemi opsione ka kontribuar që partnerët ndërkombëtarë të përshpejtojnë procedurat”, tha Spajiq.

Ai shtoi se projekte të tilla infrastrukturore janë shumë të rëndësishme për të ndalur largimin e njerëzve nga veriu.

“Shpresojmë që njerëzit të qëndrojnë në Mal të Zi dhe kjo autostradë do të krijojë shumë vende pune”, shtoi Spajiq. Siç tha ministri i Transportit dhe Punëve Detare Filip Radulloviq, Mali i Zi mund të jetë krenar për këtë grant.

“Kjo është dëshmi se ne kemi nevojë për fonde evropiane”, tha ai.

SHARE