Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik / Ministarstvo ekonomskog razvoja
Duke bojkotuar kompanitë vendase, as qytetarët dhe as ekonomia nuk do të jenë më mirë, ka vlerësuar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, duke shtuar se nuk e përkrah bojkotin dhe se nuk duhet të ketë vend për populizëm.
“Ne duhet të blejmë brenda vendit dhe të mbështesim produktet vendase. Mali i Zi nuk ka nevojë për populizëm, deklarata të ngathëta të politikanëve, thirrje nga grupet në Facebook, por t’i drejtohemi prodhimit vendas, të japim mbështetje dhe të rrisim konkurrencën”, deklaroi Gjeloshaj në panelin e titulluar Bojkoti Tregtar – Kush fiton dhe kush humbet? në Fakultetin Ekonomik.
Ai mendon se duhet pasur kujdes që të krijohen masa stimuluese, sepse synimi nuk është mbyllja e bizneseve dhe lënia e mijëra njerëzve të papunë.
“Mali i Zi është një ekonomi e vogël dhe ne të gjithë e dimë se sa të varur jemi nga importi. Ne varemi nga të gjithë faktorët e jashtëm rreth nesh dhe botës, dhe faktori vendimtar për rritjen e inflacionit ishte lufta në Ukrainë. Ne kemi krijuar disa masa që të përpiqemi të ndalojmë këtë inflacion dhe të mbështesim prodhimin”, tha Gjeloshaj.
Ai deklaroi se angazhimi i tij është të blejë prodhime vendit dhe se kjo është e vetmja rrugëdalje.
“Nuk ishte rastësi që „Voli“ u vu në shënjestër dhe kjo nuk është mirë për vendin apo Malin e Zi. Ne duhet të jemi krenarë për kompanitë tona. Pres me padurim çdo kompani të re që operon në Mal të Zi. Ne nuk jemi të kënaqur kur ata punojnë me deficit, kur nuk paguajnë taksa apo rroga për punëtorët e tyre. Në një vend që ka mbyllur fabrika dhe ka pasur privatizime të këqija, unë nuk e mbështes bojkotin e kompanive vendase. Kjo është krejtësisht e gabuar dhe ne nuk duhet të lejojmë gjëra të tilla”, tha ai.
Ai beson se duke synuar kompanit vendase, nuk do të jetë në dobi të qytetarëve dhe as ekonomisë.
„Ne duhet ta ndalojmë këtë si shoqëri dhe të mos i japim hapësirë populizmit dhe asaj që nuk është e mirë për qytetarët dhe zhvillimin ekonomik. Ne jemi kundër bojkotit, u bëj thirrje të gjithëve që të përfshihen në vendimin që të mos ndodhë bojkoti”, ka shtuar Gjeloshaj.
Ai tha se mbështet ekonominë, jo zinxhirët e shitjes me pakicë, për të mbrojtur standardet e qytetarëve.
Gjeloshaj paralajmëroi se deklaratat e ngathëta të politikanëve duhet të lihen mënjanë.
“Ne duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë për t’u bërë më konkurrues dhe që qytetarët të kenë një standard më të mirë jetese”, theksoi ministri Gjeloshaj.