SHUMICË DËRRMUESE VOTASH, ASAMBLEJA E OKB-së: MENJËHERË ARMËPUSHIMI NË GAZA

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese kërkesën për një armëpushim humanitar në Gazë, votë kjo që u interpretua si tregues i fuqishëm të mbështetjes globale për përfundimin e luftës Izrael-Hamas.

Votimi në organizatën botërore me 193 anëtarë ishte 153 pro armëpushimit, 10 kundër dhe 23 abstenime.

Përveç Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, tetë vende të tjera e kundërshtuan rezolutën: Austria, Çekia, Guatemala, Liberia, Mikronezia, Nauru, Papua Guinea e Re dhe Paraguaj.

Mes vendeve që kërkuan armëpushim ishte dhe Shqipëria. Mbështetja për një rezolutë për armëpushim ishte më e lartë sesa ajo për një rezolutë në 27 tetor që bënte thirrje për një “armëpushim humanitar” ku votimi ishte 120-14 me 45 abstenime.

Pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një rezolute në Këshillin e Sigurimit të premten ku kërkohej një armëpushim humanitar, vendet arabe dhe myslimane kërkuan një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh për të votuar për një rezolutë ku kërkohet e njëjta gjë.

Por ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk kanë fuqi detyruese.

Mesazhet e asamblesë konsiderohn të rëndësishme në vetvete si pasqyrim i opinionit botëror.

SHBA dhe Izraeli vazhdojnë të këmbëngulin se një armëpushim i plotë do të ndihmonte vetëm Hamasin.

Pavarësisht votës kundër armëpushimit nga Uashingtoni, Presidenti Joe Biden përdori të martën një gjuhë më të ashpër se zakonisht ndaj Izraelit duke thënë se po humbiste mbështetjen ndërkombëtare për shkak të “bombardimeve pa dallim” në Gazë.

SHARE