RAJONI I QËNDRUESHËM AFATGJATË NË INTERES TË ANËTARËVE A5

Interesi i anëtarëve të Kartës Amerikano-Adriatike (A5) është një rajon afatgjatë i qëndrueshëm dhe i begatë, dhe integrimi evropian dhe euroatlantik, si dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal, janë garancia më e mirë për arritjen e këtyre synimeve, tha kryeministri Dritan Abazoviq. Abazoviq tha në konferencën për shtyp se këtë vit, në kuadër të kryesimit të kësaj iniciative nga ana e Malit të Zi, janë mbajtur më shumë se 15 takime të nivelit të lartë dhe të nivelit të punës, të cilat kanë ndihmuar në analizën e mëtutjeshme të situatës së sigurisë dhe politike në rajon. Sipas tij, bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të A5 po bëhet çdo ditë e më i rëndësishëm për shkak të përballjes me kërcënime të reja globale. Abazoviq tha se Mali i Zi është i përkushtuar për promovimin e aspiratave euroatlantike të rajonit, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe të mbrojtjes. Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se pavarësisht progresit evident në dy dekadat e fundit, rajoni ende po përballet me sfida të shumta, të cilat janë përkeqësuar për shkak të krizës ekonomike, ndikimit malinj të vendeve të treta, migrimit, pandemia e koronavirusit, por edhe pasojat e agresionit rus në Ukrainë. “Sot, në kohën kur Evropa po përballet me luftë në territorin e saj, prania e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian në rajonin tonë paraqet mekanizmin më të rëndësishëm të sigurisë në këtë pjesë të kontinentit”, tha Osmani. Siç tha ai, A5 ka një rol të madh në procesin e integrimeve euroatlantike të rajonit.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani është takuar me Presidentin e Malit të Zi Millo Gjukanoviq, të cilët u pajtuan se marrëdhëniet dypalëshe mes Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut janë shembullore. Osmani theksoi se për Maqedoninë e Veriut është e rëndësishme që Mali i Zi ende të konsiderohet lider në integrimet në BE dhe shtoi se gjëja më e rëndësishme në procesin evropian është të mos humbasë vrullin.

SHARE