Kryeministri i Malit të Zi në mandat teknik Dritan Abazoviq tha sot se pas refuzimit të djeshëm të opozitës për të votuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, është e qartë se kush po e bllokon rrugën evropiane të Malit të Zi. “Komisioni i Venecias ishte i qartë, Komisioni Evropian ishte i qartë dhe zonja (Ana) Pisonero mbrëmë, dhe do t’i kërkoja të gjithëve që të mos manipulojnë duke përmendur vazhdimisht ndryshimet në Ligjin për Presidentin dhe duke mos përmendur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ajo seancë ishte e para, nuk u votua, sepse PDS-ja dhe partitë e tjera nuk donin të votonin. Nëse dikush e ka ndalur rrugën evropiane, janë ata”, tha Abazoviq në një konferencë për shtyp me shefin e diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. I pyetur nëse Qeveria planifikon të diskutojë apo të vendosë deri në fund të vitit nëse Mali i Zi do të jetë pjesë e nismës për Ballkanin e Hapur, Abazoviq tha se çdo gjë që ndihmon në uljen e tensioneve në rajon është diçka që logjikisht i sjell përfitim Malit të Zi.
“Specifika e kësaj nisme është se është autoktone, se trashëgon kulturën e komunikimit pa qenë nevoja të na ftojë nga Brukseli dhe Washingtoni. Mendoj se nuk e kemi testuar kulturën tonë të komunikimit me njëri-tjetrin dhe kjo iniciativë e ka zhvilluar atë kulturë, por nuk e dimë nëse do të jetë vendimtare”, tha Osmani.