Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, zhvilloi një takim të shkëlqyer dhe produktiv me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, SH.T. Johann Sattler.
Siç njofton Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Gjeloshaj fillimisht shprehu kënaqësinë e tij për takimin e parë zyrtar me ambasadorin e sapozgjedhur të BE-së, si dhe vlerësoi lart bashkëpunimin e jashtëzakonshëm me Delegacionin e BE-së për realizimin e aspiratave evropiane të Malit të Zi.
“Ministria e Zhvillimit Ekonomik po punon me të gjitha forcat për mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave që janë në juridiksionin e kësaj ministrie. Me krenari mund të njoftoj se unë dhe ekipi im kemi ndërmarrë hapa konkretë në këtë fushë, pikërisht në kapitujt 7, 10 dhe 20, ku puna jonë e përkushtuar është vlerësuar pozitivisht edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Malin e Zi për vitin 2024”, tha Gjeloshaj.
Sattler rikujtoi se departamenti i zëvendëskryeministrit Gjeloshaj mbulon disa kapituj të rëndësishëm të negociatave, duke përfshirë disa nga kapitujt që Mali i Zi planifikon të mbyllë deri në fund të vitit.
Ambasadori Sattler shprehu gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ofruar mbështetje të plotë për reformat e ardhshme ekonomike nga agjenda evropiane me qëllim që standardi i jetesës së qytetarëve malazezë të afrohet me standardin e qytetarëve të BE-së edhe para anëtarësimit të plotë.
Bashkërisht u vlerësua se zbatimi i mëtejshëm i detyrimeve reformuese në kuadër të Planit të Rritjes do ta afrojë ekonominë malazeze me ekonominë e vendeve anëtare të BE-së dhe do t’u ofrojë kompanive malazeze mundësinë për të marrë pjesë në tregun e përbashkët të BE-së.