MILLATOVIQ: DETYRA JONË ËSHTË T’U JAPIM TË RINJVE HAPËSIRË DHE FUQI QË TË NDIKOJNË NË DREJTIMIN E ZHVILLIMIT TË VENDIT

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka kryesuar sot Mbledhjen e Dytë të Këshillit për Iniciativa Rinore të Presidentit të Malit të Zi, e cila ishte e përkushtuar forcimit të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike dhe masave që kontribuojnë në përmirësimin e pozitës së tyre ekonomike.

“Gjatë mbledhjes u theksua nevoja që zëri i të rinjve të dëgjohet më fuqishëm dhe në mënyrë të vazhdueshme, përmes një qasjeje më të lehtë në proceset e politikave publike, rritjes së besimit ndërmjet institucioneve dhe të rinjve, si dhe zgjerimit të kanaleve përmes të cilave ata mund të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet që formësojnë të ardhmen e tyre”, thuhet në njoftim.

Presidenti Millatoviq theksoi se të rinjtë nuk janë vetëm përfitues të politikave, por partnerë në krijimin e tyre.

“Detyra jonë është t’u japim të rinjve hapësirë dhe fuqi që të ndikojnë në drejtimin e zhvillimit të vendit. Idetë dhe energjia e tyre duhet të jenë shtylla e shoqërisë që po ndërtojmë”, tha Millatoviq.

Sipas njoftimit, u theksua veçanërisht rëndësia e krijimit të kushteve cilësore për të mësuar, për të punuar dhe për të jetuar përmes lidhjeve më të forta mes sistemit arsimor dhe tregut të punës, nxitjes së punësimit dhe sipërmarrjes, si dhe krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë të rinjtë, pavarësisht nga komuna ku jetojnë.

“Mali i Zi mund të përparojë vetëm nëse çdo i ri ndien se ka perspektivë dhe mundësi të arrijë sukses këtu. Për këtë duhet të punojmë së bashku”, u shpreh Presidenti.

Këshilli, në periudhën e ardhshme, do të shndërrojë udhëzimet kyçe në një kornizë konkrete veprimi, me qëllim që të përmirësohet në mënyrë sistematike pjesëmarrja politike dhe perspektiva ekonomike e të rinjve, dhe që zëri i brezit të ri të bëhet i pazëvendësueshëm në krijimin e politikave publike.

SHARE