LAJÇAK: TË MOS SHPËRDORET MUNDËSIA PËR ARRITJEN E NORMALIZIMIT

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se dy shtetet nuk duhet të shpërdorin mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve. “ Nuk do të thosha që viti tjetër është vendimtar, por e kam thënë më shumë se një herë se e kemi këtë dritare mundësie që do të zgjasë deri në zgjedhjet evropiane dhe amerikane më 2024. Mendoj që është përgjegjësia jonë që të mos e shpërdorojmë këtë mundësi”, tha Lajçak, kur u pyet nëse vitin e ardhshëm Kosova dhe Serbia do të mund të arrijnë ndonjë marrëveshje. Diplomati evropian tha se me Kurtin ka biseduar për çështjen e çuarjes përpara të normalizimit, për targat dhe energjinë. Ai tha se në takimin me Kurtin ka biseduar edhe për “diskutimet që ne kemi nisur së fundmi”, që sipas tij kanë vazhduar përmes ndërhyrjes së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe bisedës telefonike që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar me liderët e Kosovës dhe Serbisë. “Ne kemi diskutuar për hapat e mëtejmë dhe pika e dytë në agjendë ishin çështjet aktuale, veçanërisht çështja e energjisë dhe e targave. Sepse, siç e dini, afati i fundit për targat e makinave është më 31 tetor dhe është shumë e rëndësishme për mua, dhe ne si BE dhe komunitet ndërkombëtar, të dimë se cilat janë planet dhe të shmangim ndonjë përshkallëzim të situatës. Kjo nuk është në interesin e askujt”, tha Lajçak.

SHARE