TJETËR SULM KIBERNETIK NË KOSOVË / NDËRPRITEN TË GJITHA SHËRBIMET E INTERNETIT

Telekomi i Kosovës ka rënë pre i një sulmi kibernetik. Prej orës 8:00 të mëngjesit të ditës së sotme drejtori teknik, Halil Krasniqi konifrmon që kanë ndërprerë shërbimet e internetit me qëllim parandalimin e sulmit. Ai shton për Top Channel se qëllimi kryesor ishte krijimi i një ngarkese në rrjet duke thënë që edhe janë identifikuar IP-të prej nga ka ardhur, por refuzon të japë detaje të tjera. Lidhur me situatën ka reaguar përmes një deklarate edhe qeveria e Kosovës. “Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre. Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.”- thuhet në deklaratë.

SHARE