HASANI: INTEGRIMI NË BE, GARANTON NJË RAJON TË SIGURT

Në një fjalim të mbajtur në Akademinë Diplomatike të Budapestit lidhur me prespektivën e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, kryediplomati shqiptar Igli Hasani tha se rajoni e gjen sot veten në një moment të veçantë dhe të paparashikueshëm.

Sipas tij, integrimi në BE është garancia e vetme për një Ballkan Perëndimor paqësor, të sigurt dhe të begatë.

“Roli i Shqipërisë në promovimin e bashkëpunimit rajonal përmes Procesit të Berlinit, angazhimi i saj me “armiq historikë”, edhe në rrezik të kostove politike brenda vendit dhe ndërmjet shqiptarëve në rajon, është i njohur gjërësisht dhe dëshmon angazhimin tonë në idenë e nxitjes së bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”.

Për ministrin e Jashtëm, humbja e Ballkanit Perëndimor nuk është një opsion për Bashkimin Evropian, pasi kjo do të dëmtonte seriozisht kredibilitetin e saj.

“Ne besojmë se integrimi rajonal është një faktor kyç për të ardhmen tonë. Është i qenësishëm për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe është vendimtar për integrimin në BE. Ka një rënie të mbështetjes për procesin e integrimit në BE dhe rënie të besimit në BE”.

Sa i përket zhvillimeve në rajon, shefi i diplomacisë shqiptare tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të ecë përpara dhe gjendja e Bosnje-Hercegovinës duhet të trajtohet urgjentisht.

Ai shtoi se zgjidhja e këtyre dy situatave do të heqë padyshim dy pengesa të rëndësishme në rrugën e integrimit dhe bashkëpunimit rajonal.

SHARE