ESCOBAR: KOSOVA DHE SERBIA T’I ZBATOJNË MARRËVESHJET

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të mërkurën pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Ai i hodhi poshtë pretendimet e presidentes Osmani se BE-ja po tregon mungesë të qasjes së barabartë në ndërmjetësimin e dialogut.

“Të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjes, pra nuk është përpjekje e njëanshme që vetëm Kosova t’i marrë ato vendimet e zorshme”, tha Escobar.

Osmani tha se është jetike të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar mes palëve.

“Prandaj, qasja selektive vetëm ndaj neneve të caktuar të marrëveshjes bazike nuk do të ndihmojë, sepse të gjitha nenet kanë rëndësi”, tha ajo.

Ajo shtoi se angazhimi dhe roli i Shteteve të Bashkuara mbetet kyç “për një përmbyllje të suksesshme të dialogut që do të dërgonte në një njohje të ndërsjellë, ashtu siç e ka përmendur në letrën e tij të fundit presidenti [amerikan Joe] Biden”.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja ka thënë se marrëveshja, e cila edhe pse nuk është nënshkruar është detyrim për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.

Gjatë takimit me Osmanin, Escobar tha se bisedoi edhe për sigurinë dhe se Shtetet e Bashkuara ndihet të shqetësuara pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup serbësh u përleshën me Policinë e Kosovës, ku u vranë një polic dhe tre sulmues.

“Në takim e patëm një bisedë shumë të sinqertë lidhur me gjendjen e sigurisë. Jemi tepër të shqetësuar për ndarjet e 24 shtatorit. E ftojmë Serbinë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari të plotë”, tha Escobar.

Përgjegjësinë për atë sulm e mori Millan Radoiçiq – ish nënkryetar i Listës Serbe – i cili e kaloi një ditë në paraburgim në Serbi dhe më pas doli për t’u mbrojtur në liri, por me kushtin që të mos largohet nga Serbia.

Osmani se Kosova do të vazhdojë të punojë me aleatët në mënyrë që “kufiri ynë të jetë i sigurt dhe të parandalohen sulme të tilla”.

SHARE