META DHE THAÇI MARRIN PJESË NË SEANCËN PLENARE TË FORUMIT TË PAQES NË PARIS

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta dhe presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi marrin pjesë në seancën plenare të forumit të paqës në Paris. Në statusin e Presidentit Meta thuhet: “Kënaqësi e veçantë të takohesha mbrëmë me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me rastin e Forumit të Parisit për Paqen! Bashkëpunimi me Francën, shumë i rëndësishëm për të ardhmen tonë europiane!” Në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Forumit të Parisit për Paqen, Meta u takua edhe me Kancelaren e Austrisë, znj.Brigitte Bierlein. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me marrëdhëniet tradicionale historike dhe shumë miqësore e të bashkëpunimit prej dekadash mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe theksuan nevojën e forcimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të tyre në të ardhmen. Presidenti Meta e falenderoi Kancelaren Bierlein për mbështetjen e vendosur dhe pa rezerva që Austria vijon t‘i japë procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe së ardhmes europiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Gjatë bashkëbisedimit, Kreu i Shtetit shprehu kënaqësinë për trendin pozitiv në shkëmbimet ekonomike dhe tregtare dypalëshe, si dhe theksoi rëndësinë e rritjes së investimeve austriake në Shqipëri. Në këtë forum muer pjesë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ku në një panel të veçantë ka folur për angazhimin për arritjen e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim të ndërmjetësuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka takuar sot edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian.

SHARE