Foto: PE
Përfundimi i negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE) është në interes të gjithë vendit, deklaroi deputeti i Parlamentit Evropian dhe bashkëkryesuesi i Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE–Mali i Zi, Tomas Vajc.
Ai shprehu pritshmërinë që partitë proevropiane, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, ta vendosin integrimin evropian si prioritet në fazën përfundimtare të negociatave dhe të arrijnë një zgjidhje të përbashkët.
„Përfundimi i negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi në BE është në interes të të gjithë vendit. Shpresoj që partitë proevropiane, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, t’u japin përparësi çështjeve të duhura në këta hapa përfundimtarë dhe të arrijnë një vendim të përbashkët“, tha Vajc.
Ai u ndal edhe te pakënaqësia për mosmbajtjen e votimit për mocionin e mosbesimit, duke theksuar se e kupton frustrimin e një pjese të deputetëve, por se kjo është çështje e brendshme e Malit të Zi.
„Si parlamentar, e kuptoj frustrimin për faktin se nuk u mbajt votimi për mocionin e mosbesimit, të cilin e kërkuan shumë deputetë.
Megjithatë, kjo është çështje e brendshme e Malit të Zi dhe e Kuvendit të tij“, u shpreh ai.
Vajc theksoi se mosmarrëveshjet politike nuk duhet ta lënë në hije procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
„Shpresoj që kjo përplasje të mos e pengojë anëtarësimin e shpejtë të Malit të Zi në BE. Bashkimit Evropian i nevojitet Mali i Zi, ndërsa Malit të Zi i nevojitet Bashkimi Evropian“, theksoi Vajc.









