PARLAMENTI I SHQIPËRISË MIRATON REZOLUTËN PËR KOSOVËN

Rezoluta për Kosovën u miratua këtë pasdite me 101 vota, pas seancës maratonë në Kuvend.

Teksa votohej Rezoluta, disa deputetë të opozitës krijuan tensione në sallë, duke bllokuar Foltoren.

Rezoluta shpalos mbështetjen e dokumentit të miratuar nga parlamenti i Kosovës dhe kërkon nisjen e një hetimi ndërkombëtar, ku Shqipëria të jetë zëri i saj për të lobuar me Bashkimin Europian dhe SHBA-në për njohjen si shtet i pavarur nga Serbia.

Kundër kësaj Rezolute ishte Partia Demokratike zyrtare. Mbështetësit e Lulzim Bashës, edhe pse të pranishëm në sallë, nuk morën pjesë në votim.

As kryeministri Edi Rama nuk votoi, pasi u largua më herët nga Kuvendi.

Tri pikat e rezolutës së miratuar

Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023;

Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;

Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

SHARE