Dje, në Prishtinë, Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, me bashkëpunëtorët u prit nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. „Gjatë takimit me Kryeministrin Kurti, ku isha bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, dhe Nënkryetarin e Komunës, Ivan Ivanaj, kemi biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit institucional, me qëllim mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe politike të shqiptarëve në Komunën e Tuzit dhe në Mal të Zi,“ shkruan Gjeloshaj. Po ashtu, bashkërisht me Kryeministrin e Kosovës kanë shqyrtuar mundësitë për realizimin e projekteve të ndryshme dhe zhvillimin e aktiviteteve në fushat e kulturës dhe të arsimit, me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.