EUROPA NËN KËRCËNIMIN E ZJARREVE

I nxehti ekstrem dhe thatësira më e rëndë që ka përfshirë Europën ka ndezur zjarret që kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme. Flakët e fuqishme përfshinë Portugalinë qendrore duke djegur mijëra hektarë tokë dhe duke detyruar vendasit të largohen. Më shumë se 1,500 zjarrfikës luftuan të shuanin një zjarr të fuqishëm në rajonin qendror Covilha që ka djegur 10,500 hektarë duke përfshirë edhe disa pjesë të parkut kombëtar Serra da Estrela. Zjarret shpërthyen në disa pjesë të Francës dhe Spanjës. Zjarrfikësit e Hostens janë vendosur në dispozicion për të shuar flakët së bashku me helikopterë dhe avionë. Qindra shtëpi janë djegur dhe mbi 10 mijë banorë janë larguar nga disa rajone në Francë. Në Gironde situata mbetet shumë kritike pasi zjarret po intesifikohen dhe po bëhet edhe më e vështirë venia në kontroll për shkak të thatësirës dhe temperaturave të larta. Më shumë se 57,200 hektarë janë përfshirë nga flakët deri më tani në Francë këtë vit, gati gjashtë herë më shumë se mesatarja e vitit 2006-2021, tregojnë të dhënat nga Sistemi i Informacionit të Zjarrit në Pyll në Europë. Një paralajmërim katër-ditor për “nxehtësi ekstreme” hyri në fuqi në pjesë të Anglisë dhe Uellsit, me temperatura të larta në 35 gradë Celsius që mund të shkaktojë zjarre dhe presion mbi furnizimet me ujë dhe shërbimet e transportit. Zyra Met tha se paralajmërimi i saj me ngjyrë qelibar, i dyti më i ashpër pas të kuqit, do të zgjasë deri të dielën. Autoritetet shëndetësore i kanë bërë thirrje njerëzve që të shmangin daljet në orën e pikut. Met Office e ngriti parashikimin e saj se zjarret mund të përhapen në Londër dhe pjesë të tjera të Anglisë gjatë ditëve të ardhshme. Paralajmërimi vjen pas Korrikut më të thatë për Anglinë që nga viti 1935, kur temperaturat u rritën mbi 40 gradë Celsius për herë të parë. Ndërkaq në Greqi zjarret janë vendosur në kontroll. Shërbimi meterologjik kombëtar i motit paralajmëroi për një rikthim të shiut në Epir, Trakë, Greqinë lindore qendrore, Peloponezit lindor dhe  Thesalinë Lindore. Me ndryshimet klimatike, numri i zjarreve ekstreme pritet të rritet me 30% brenda 28 viteve të ardhshme, sipas një raporti të OKB-së.

SHARE