Evropa ka nevojë për një pjekuri të re për të mbrojtur vlerat mbi të cilat është themeluar, tha ministri i Jashtëm i Malit të Zi Ranko Krivokapiq gjatë qëndrimit të tij në Greqi, ku po merr pjesë në Simpoziumin e 24-të Ndërkombëtar Simi. Ministri Krivokapiq gjatë simpoziumit pati takime bilaterale me të dërguarin special të Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Mësohet se Krivokapiq dhe Lajçak kanë diskutuar për konsistencën e Bashkimit Evropian (BE) kur është fjala për procesin e zgjerimit. “Në takim u vlerësua se shtetet anëtare do të mbeten të palëkundur në këmbënguljen e tyre për përmbushjen e detyrave specifike nga fushat 23 dhe 24, si dhe që hapja e çështjeve historike, që çojnë në polarizim në shoqëri, të mos jetë pjesë e agjendës sonë evropiane”, thuhet në njoftim. Krivokapiq foli për rëndësinë që lidershipi malazez të tregojë pjekuri në zgjedhjen e aleatëve. “Sepse BE-ja nuk ka alternativë dhe as qytetarët tanë nuk dëshirojnë një të ardhme ndryshe nga të qenit qytetarë të plotë të Unionit”, theksoi Krivokapiq. MPJ ka thënë se në takimin me Kurtin kanë biseduar për marrëdhëniet dypalëshe mes Malit të Zi dhe Kosovës në prizmin e gravitetit të ri rajonal. “Bashkëbiseduesit ranë dakord se historia revizioniste dhe imponimi i një supremacie më të madhe nuk është pjesë e rrugës së përbashkët evropiane, si dhe se pjekuria e re e BE-së është e nevojshme që përmes meritokracisë dhe këmbënguljes në parimin e regatës në garën që kryeson Mali i Zi, të ndalojë tendencat e tilla në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratë.