Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich, tha se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) gradualisht do të përshtatë forcën për mbështetjen e misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha ai, përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.
“NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Grynkewich përmes një njoftimi më 12 qershor. “Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është vendosur më 1999 në vend. Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar në atë vit, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë rreth 4.600 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga shtete të ndryshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX. Ky mision paqeruajtës po ashtu ka përgjegjësinë e sigurisë përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.
Në njoftimin e NATO-s – që vjen në përvjetorin e 27-të të hyrjes së trupave të saj në Kosovë, pas fushatës ajrore të aleancës mbi caqet serbe – u tha se situata e sigurisë ka vazhduar që të përmirësohet në vitet e fundit. Për këtë arsye, në janar NATO-ja ndaloi dislokimin e forcave rezervë në KFOR pas pothuajse dy vjetësh të rotacionit të vazhdueshëm.
“Teksa situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht stabile, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it dhe gradualisht do të përshtatë forcën e tij aktuale gjatë vitit të ardhshëm”, u tha në njoftimin e aleancës ushtarake perëndimore.
Ndryshimet do të ndodhin gradualisht në përputhje me kushtet në terren dhe ato mund të zhbëhen, nëse është e nevojshme, tha NATO.









