DITA E ÇLIRIMIT: KOSOVA SHPREH MIRËNJOHJE PËR 24 VJET LIRI

Kosova sot shënon 24-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti, vendosën kurora me lule nëpër disa lokacione në Prishtinë gjatë kësaj dite, duke nderuar figurat politike, aktivistët dhe ushtarët e rënë të NATO-s në Kosovë.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në shtetndërtimin e vendit.

“Jemi mirënjohës dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës për vizionarët e shtetit, për presidentin [Ibrahim] Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosen këto themele; për komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë; si dhe mirënjohje të përjetshme për të gjithë miqtë tanë, të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet”, u shpreh presidentja Osmani.

Konjufca, duke përkujtuar sakrificat e popullit të Kosovës për liri, tha se çlirimi i Kosovës është “shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm mes faktorit vendor dhe bashkësisë ndërkombëtare”.

“Kjo [çlirimi i Kosovës] nuk do të mund të arrihej pa miqtë e çmuar ndërkombëtarë, pa shtetet që e ndihmuan çlirimin e Kosovës, por kjo ndodhi edhe pikërisht pse kauza jonë ishte shumë e drejtë. Ne krejt çfarë po kërkonim ishte ta hiqnim okupimin shekullor serb në Kosovë”, tha kryeparlamentari Konjufca.

Edhe kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për të gjithë ata që sakrifikuan për shtetin e Kosovës, teksa tha se “sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës”.

“Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë ndaj popullit tonë, gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës”, u shpreh Kurti.

SHARE