DUKAJ DHE GJEKA: SHQIPTARËT ÇDO INICIATIVË TË PËRKRAHUR NGA SHBA-të DUHET TA ANALIZOJNË E SHQYRTOJNË SERIOZISHT

Iniciativës rajonale Ballkani i Hapur shumë shpejtë mund t’i bashkohet një anëtar i ri. Mali i Zi, me ardhjen e qeverisë së re, ka filluar të ndryshojë qëndrim ndaj kësaj nisme, të cilën më herët e kishte kundërshtuar. Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, dhe ministri i Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Fatmir Gjeka, për gazetën Nacionale kanë deklaruar se kjo iniciativë nuk është prezantuar mirë para opinionit publik. Sipas tyre, çdo iniciativë e përkrahur nga ShBA-të duhet të analizohet mirë nga shqiptarët.  Ministri Dukaj ka thënë se Ballkani i Hapur mund të sjellë shumë të mira.  “Unë vlerësoj se çështja e ‘Open Balkan’ nuk është prezantuar siç duhet para opinionit. Vlerësoj së ky është një gabim, fillimisht, i atyre që e kanë promovuar”, ka deklaruar  Dukaj, duke shtuar se “çdo iniciativë që përshëndetet dhe promovohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqiptarët e kanë obligim që ta analizojnë e ta shqyrtojnë seriozisht.”. Të njëjtin mendim ndan edhe ministri i Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Fatmir Gjeka. Ai ka treguar për gazetën Nacionale se qeveria e re shumë shpejtë do ta shqyrtojë këtë çështje. “Iniciativat rajonale janë të mira dhe hapja e qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve është e mirë. Por gjithmonë duhet ta analizojmë dhe ta shqyrtojmë së bashku dhe pastaj të merren vendimet e duhura. Është normale që do ta shqyrtojmë, e do të shohim benefitet që kjo mund të sjellë. Unë mendoj që duhet të ju ofrojmë shumë më shumë informacione njerëzve dhe çdo gjë rreth kësaj iniciative ta diskutojmë së bashku. Nuk është se e kemi pranuar, por as nuk e kemi hedhur poshtë.”, ka thënë Gjeka. Raportet në mes të dy shteteve fqinje, të dy ministrat shqiptarë në Qeverinë e re të Malit të Zi i kanë konsideruar si të mira. Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, ka thënë se kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq gëzon raporte shumë te mira me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, meqë ata kanë origjinën nga i njëjti qytet. Kurse, Ministri i Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, ka deklaruar se raportet në mes të Malit të Zi e Kosovës janë të mira dhe se nuk sheh ndonjë arsye që ato të mos thellohen edhe më shumë.

SHARE