Zëvendësndihmës Sekretari i SHBA-së dhe njëkohësisht dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po realizon një vizitë në Shqipëri.
Në njoftimin nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishin në qendër të takimit Begaj-Escobar.
“Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, presidenti Begaj nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Më tej, theksohet se në mënyrë të veçantë, presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen që SHBA-ja dhe personalisht Escobar i kanë dhënë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qëndrueshëm të tij”, theksoi presidenti Begaj.
Sipas njoftimit, duke u ndalur tek sfidat dhe kërcënimet me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, “pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, presidenti Begaj nënvizoi gjithashtu se falë qasjes së re gjeopolitike edhe nga BE-ja, sot kemi një vëmendje të shtuar ndaj këtij rajoni”.
“Një vëmendje të veçantë gjatë takimit e mori çështja e sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride. Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e agjencive të specializuara amerikane, duke i konsideruar të një rëndësie jetike dhe vendimtare për rritjen e kapaciteteve dhe aftësive kibernetike të Shqipërisë”, theksohet nga Presidenca e Shqipërisë.
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Escobar u takua edhe me kryeministrin Rama dhe do të takohet edhe me përfaqësues të partive politike.
Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministrja Xhaçka shprehu mirënjohjen ndaj Gabriel Escobar “për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
“Dy zyrtarët vlerësuan partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, teksa në fokus të bisedës ishte edhe forcimi i mëtejshëm i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon, në kontekstin e situatës së sigurisë në Evropë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.