UNICEF DHE QEVERIA: ZVOGËLOHET NUMRI I FËMIJËVE QË JETOJNË NË VARFËRI

Në Mal të Zi është vërejtur progres në uljen e numrit të fëmijëve që jetojnë në varfëri dhe në institucionet rezidenciale dhe rritjen e vaksinimit me vaksinën MMR 1.

Ky është konkludimi i konferencës së Qeverisë dhe UNICEF-it.

Zëvendëskryeministri për Demografinë dhe Rininë Dragosllav Shqekiq theksoi kontributin e pamatshëm të Qeverisë në përpjekjet për të siguruar që të gjithë fëmijët të kenë kushte cilësore për zhvillim dhe një të ardhme më të mirë.

“Dëshiroj të theksoj se kemi bërë shumë bashkë për sa i përket përmirësimit të pozitës së fëmijëve dhe se po përmirësojmë vazhdimisht sistemet në të gjitha fushat në përputhje me standardet evropiane, duke i dhënë rëndësi të veçantë mbështetjes së grupeve vulnerabël të fëmijëve, dhe se mbrojtja e fëmijëve me aftësi të kufizuara zhvillimore, fëmijëve të prekur nga varfëria, fëmijëve refugjatë, fëmijëve romë, fëmijëve viktima të dhunës, abuzimit dhe neglizhencës dhe fëmijëve pa kujdes prindëror, do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e Qeverisë së Malit të Zi në periudha e ardhshme”, tha Shqekiq.

Shqekiq theksoi se plani i punës për vitin 2024 është i harmonizuar me Programin e Punës të Këshillit për të Drejtat e Fëmijëve për vitin 2024 dhe do të kontribuojë në përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian në lidhje me të drejtat e fëmijës.

“Plani do të përfshijë përmirësimin e kornizave ligjore dhe strategjike në fushat e mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, arsimit, shëndetësisë, forcimit të kapaciteteve profesionale, ndryshimit të qëndrimeve dhe sjelljeve përmes fushatave për ndërgjegjësimin e qytetarëve, futjes së shërbimeve të reja dhe forcimit të shërbimeve ekzistuese, si dhe përmirësimi i cilësisë së të dhënave për fëmijët, politikat buxhetore për fëmijët dhe monitorimi i gjendjes së realizimit të të drejtave të fëmijëve”, përfundoi ai.

SHARE