PRESIDENTI MILLATOVIQ VIZITË ZYRTARE NË RUMANI

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, është pritur me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në pallatin presidencial në Bukuresht, ku është zhvilluar takimi me Presidentin e Republikës së Rumanisë, Klaus Johannis.

Siç thuhet në komunikatën e kabinetit të Presidentit, u mbajt takimi dypalësh i delegacioneve të të dy vendeve, gjatë të cilit u konfirmuan marrëdhëniet miqësore dhe aleate ndërmjet Malit të Zi dhe Rumanisë, dhe tema të diskutimit ishin forcimi i lidhjeve politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Millatoviq deklaroi se procesi i integrimeve evropiane është prioritet i politikës së jashtme të Malit të Zi dhe shprehu pritjen që vendi ynë deri në vitin 2028 të bëhet anëtar i plotë i BE-së, të cilës, siç tha, mandati i tij pesëvjeçar i dedikohet plotësisht.

Presidenti i Rumanisë theksoi se Bukureshti zyrtar mbështet fuqishëm rrugën evropiane të Malit të Zi, duke shtuar se vendi ynë është një partner i rëndësishëm që kontribuon ndjeshëm në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Interesimi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik u shpreh nga të dyja palët, veçanërisht përmes rritjes së vëllimit të investimeve rumune, si dhe u theksua mundësia për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, turizmit dhe teknologjisë së informacionit.

Në fund, presidenti Millatoviq rikujtoi se vendi ynë është i interesuar të marrë pjesë në Iniciativën e Tre Deteve, duke thënë se platformat rajonale evropiane që bashkojnë vendet gjeografikisht të afërta dhe që promovojnë rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin në fushën e transportit, energjisë dhe lidhjes digjitale, përfaqësojnë një model të besueshëm të së ardhmes sonë të përbashkët evropiane.

SHARE