ESCOBAR ËSHTË I SHQETËSUAR, POR VENDIMET I MERR QEVERIA

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-të janë të shqetësuara për faktin se liderët e ish-Frontit Demokratik (FD) mund të jenë pjesë e qeverisë.

Në një konferencë online me gazetarë, në prag të vizitës së tij në Podgoricë, ai tha se këto janë ende vendime të Qeverisë së Malit të Zi dhe se është e drejtë e saj. Ai tha se SHBA-të nuk po ndërhyjnë, por nuk mund të mos vërehet se janë të shqetësuar se mund të hyjnë në Qeveri ata që nuk ndajnë të njëjtat vlera si pjesa tjetër e koalicionit qeverisës.

“Në disa raste, publikisht dhe privatisht, kemi thënë se jemi të shqetësuar dhe se këto parti nuk janë partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përfaqësuesit e këtyre partive thanë se do të rishqyrtojnë anëtarësimin në NATO, por edhe se synojnë të tërheqin njohjen e Kosovës, gjë që do të shkaktonte destabilitet shtesë në rajon. Me sa mund të shohim, ato nuk kanë ndryshuar. Dhe përmes disa gjërave që bën kreu i parlamentit (Andrija Mandiq), ne nuk kemi parë një angazhim të vërtetë për integrimin euroatlantik. Ne jemi të shqetësuar për mundësinë që ata që nuk ndajnë të njëjtat vlera si pjesa tjetër e koalicionit mund të hyjnë në qeveri”, tha Escobar.

SHARE