Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në mbledhjen e 20-të të mbajtur sot, Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantë shqyrtoi dhe dha mendim pozitiv propozimit për emërimin e Bernard Çobajt ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Malit të Zi në Republikën e Kosovës, me bazë rezidente, me seli në Prishtinë.
Gjatë diskutimit, Çobaj tha se ka qenë në shërbimin diplomatik për gati 20 vite, dhe se ka qenë i ngarkuar me punë në ambasadën e Malit të Zi në Prishtinë.
“Misioni që vendosëm si ambasadë ishte rritja e shikueshmërisë në vendin pritës, do të thotë përmirësimi i imazhit të ambasadës sonë. Informacionet kthyese që morëm nga aktorë të ndryshëm socialë të Kosovës gjatë atij viti e gjysmë, duke përfshirë edhe diasporën tonë të gjerë, duke përfshirë edhe subjekte të ndryshme afariste nga Mali i Zi që vijnë shpesh në Kosovë, por edhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, është se ne e kemi përmbushur atë qëllim. Këtë ia kemi me borrxh më së shumti diplomacisë kulturore,” vuri në dukje Çobaj.
Siç shtoi ai, kanë pasur mbi njëzet ngjarje në fushën e diplomacisë kulturore, duke përfshirë – shfaqjen e dramës nga Teatri Kombëtar malazez Bladi Mun në Prishtinë, si dhe shfaqje të muzikantëve malazezë, ekspozita të Gjelosh Gjokajt…
“Ajo në të cilën kemi qenë më të dukshëm, më të njohur është diplomacia kulturore – është karta jonë autentike e identitetit në arritjen e synimeve të politikës së jashtme të vendit. Rëndësia e diplomacisë kulturore përmendet në Kushtetutën e UNESCO-s të vitit 1946 dhe ne mund të gjejmë mbështetje për rëndësinë e diplomacisë kulturore në shumë shkrimtarë të mëdhenj bashkëkohorë si Orhan Pamuk, Milan Kundera dhe Amin Malouf”, tha ai.
Ai citoi një dokument të BE-së të vitit 2016, i cili, ndër të tjera, thotë:
“Kultura duhet të jetë pjesë e politikës sonë të jashtme. Kultura mund të jetë gjithashtu një ‘motor’ i zhvillimit ekonomik dhe social. Nëpërmjet kulturës, ne ndërtojmë një aleancë qytetërimesh kundër atyre që përpiqen të na përçajnë. Kjo është arsyeja pse diplomacia kulturore duhet të jetë në qendër të marrëdhënieve tona me botën bashkëkohore,“ tha Çobaj, duke theksuar se diplomacia kulturore do të jetë thelbi i aktiviteteve të Ambasadës së Malit të Zi në Republikën e Kosovës.