IZRAELI MBROHET NË GJND KUNDËR AKUZAVE PËR GJENOCID NDAJ PALESTINEZËVE

I akuzuar për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve, Izraeli mbrojti luftën e tij në Gazë në paraqitjen para gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara të premten, një ditë pasi kryeministri Benjamin Netanyahu i hodhi poshtë akuzat për gjenocid.

Izraeli, i cili u themelua pas Holokaustit, ka mohuar fuqimisht akuzat e ngritura nga Afrika e Jugut në një nga rastet më të mëdha që janë paraqitur ndonjëherë përpara një gjykate ndërkombëtare. Rasti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe ka shkaktuar protesta para gjykatës, nga të dyja palët.

Avokatët e Afrikës së Jugut i kërkuan gjykatës të enjten të urdhërojë ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake izraelite në territorin rrethuar, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Një vendim për këtë kërkesë ndoshta do të marrë javë, megjithëse çështja e plotë ka të ngjarë të zgjasë disa vjet.

Këshilltari ligjor izraelit, Tal Becker, tha të premten në gjykatë se vendi po lufton në një “luftë që nuk e filloi dhe nuk e deshi”.

“Në këto rrethana, vështirë se mund të ketë një akuzë më të rreme dhe më keqdashëse sesa akuza kundër Izraelit për gjenocid”, shtoi ai.

Të premten, Izraeli u përqëndrua në brutalitetin e sulmeve të 7 tetorit, duke paraqitur video dhe audio që tregonin atë që ndodhi atë ditë.

“Ata torturuan fëmijët para prindërve, dhe prindërit para fëmijëve, dogjën njerëz, duke përfshirë foshnje të gjalla, përdhunuan dhe gjymtuan sistematikisht shumë gra, burra dhe fëmijë,” tha Becker.

Kërkesa e Afrikës së Jugut, tha ai, përbën një përpjekje për të parandaluar Izraelin që të mbrohet kundër atij sulmi.

Ai tha se akuzat për gjenocid duhet të kenë në shënjestër Hamasin – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Ne jetojmë në një kohë kur fjalët janë të lira, në një epokë të mediave sociale dhe politikave të identitetit. Përpjekja për të kërkuar termin më të egër dhe për të fyer është bërë, për shumë, e papërmbajtshme”, tha Becker në sallën e mbushur të gjykatës botërore në Hagë.

Ai shtoi se Afrika e Jugut “ka paraqitur para gjykatës një pamje thellësisht të shtrembëruar. Tërësia e çështjes së saj varet nga një përshkrim i dekontekstualizuar dhe manipulues i realitetit të armiqësive aktuale”.

Në deklaratën e tij hyrëse të premten në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Becker kërkoi pushimin e çështjes, duke e quajtur atë “një shpifje”.

Ai i tha gjykatës se Hamasi filloi dhunën me sulmin e tij të befasishëm të 7 tetorit në Izrael, në të cilin u vranë më shumë se 1.200 njerëz, ndërsa në gjykatë shfaqi pamjet e njerëzve të vrarë.

Ai i tregoi gjykatës, gjithashtu, videon e zyrtarit të Hamasit, Ghazi Hamad, i cili zotohej të vazhdonte sulmet me qëllim të asgjësimit të Izraelit.

“Nëse ekziston një kërcënim për civilët palestinezë të Gazës, ai rrjedh kryesisht nga fakti se ata kanë jetuar nën kontrollin e një organizate terroriste gjenocidale që ka shpërfillje totale për jetën dhe mirëqenien e tyre”, tha Becker.

SHARE