OSMANI VIZITË ZYRTARE NË BRUKSEL

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi është takuar sot me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Bruksel. Së bashku kanë diskutuar për luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin rajonal. Në një postim në Twitter, Várhelyi shkruan se është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë zbatimin e reformave të lidhura me BE, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe bashkëpunimin në rajon, duke tërhequr përfitimet nga plani ekonomik dhe investimeve. Në vazhdën e takimeve gjatë vizitës në Bruksel, presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli. Në këtë takim, Osmani ka falënderuar Sassolin për rolin proaktiv të Parlamentit Evropian në mbështetjen e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Gjithashtu e ka falënderuar Presidentin Sassoli për rolin e tij në përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në të gjitha përpjekjet e BE-së për përballimin e pandemisë̈. Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca thuhet se, Osmani theksoi faktin se Parlamenti Evropian ishte dhe vazhdon të jetë institucioni më i zëshëm në BE në lidhje me Republikën e Kosovës, duke kërkuar jo vetëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe duke e ndihmuar shtetin e Kosovës nëpërmjet iniciativave të ndryshme. Ajo e ka potencuar në veçanti, nevojën që Parlamenti Evropian të jetë i zëshëm në kërkesën ndaj pesë shteteve jo njohësë të BE-së, në mënyrë që ato ta njohin Republikën e Kosovës. Më tej, zonja Osmani konfirmoi synimin e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj për kultivimin dhe ruajtjen e vlerave evropiane. “Institucionet e Republikës së Kosovës, bashkë me ato të BE-së, duhet të punojnë më shumë që sa më shpejt që është e mundur t’ia ofrojnë perspektivën evropiane popullit të Kosovës, i cili vazhdon të jetë populli më pro-evropian në kontinent, por i izoluar shkaku i mosliberalizimit të vizave. Kosova i ka plotësuar kriteret, ndaj BE-ja duhet ta mbajë premtimin ndaj Kosovës duke i liberalizuar vizat”, citohet të ketë thënë Osmani. “Rajoni ynë do të ecë përpara kur të ketë drejtësi sepse drejtësia është parakusht për paqe e pajtim”, ka thënë Osmani. Ajo po ashtu potencoi se duhet të rritet roli i Kuvendit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, sikurse edhe të arrihet unifikim i spektrit politik kosovar lidhur me dialogun.

SHARE