E RËNDËSISHME AKSIONI I PËRBASHKËT NË PARANDALIMIN E KONTRABANDËS

Në takimin në Shkodër, shefi i sektorit malazes për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Zoran Llazoviq dhe shefi i policisë kriminale shqiptare, Tonin Vocaj, theksuan rëndësinë e veprimit të përbashkët strategjik të policisë së të dy vendeve, dhe se aktivitetet policore që synojnë luftimin e krimit të organizuar duhet të vazhdojnë përmes hetimeve të përbashkëta. Administrata e Policisë njoftoi se arsyeja e takimit ishte realizimi i hetimit të kryer nën emrin e koduar “Terminal”, në të cilin më 3 nëntor 2020, nga një aksion i përbashkët i Administratës Doganore dhe Administratës së Policisë së Malit të Zi, u ndërpre rruga ndërkombëtare e kontrabandës së narkotikëve nga Republika e Shqipërisë përmes territorit të Malit të Zi në vendet e Evropës Perëndimore. Në atë kohë, më shumë se 2.5 tonë lëndë narkotike marihuanë, e cila kishte për qëllim kontrabandën e mëtejshme në Evropën Perëndimore, u gjetën dhe konfiskuan në vendkalimin kufitar Bozhaj në një kamion me targa shqiptare. Më 5 nëntor 2020, Policia e Republikës së Shqipërisë vazhdoi zbatimin e aksionit. Dy shtetas shqiptarë u arrestuan në qytetin e Lushnjes, ndërsa u lëshua një urdhër për një person të tretë. Në takim u theksua se grupet e organizuara kriminale, veçanërisht kur bëhet fjalë për kontrabandën e marihuanës nga Shqipëria, ku Mali i Zi është pika e parë e tranzitit në Evropë, veprojnë për një periudhë më të gjatë kohore, duke prezantuar mënyra të reja të veprimtarisë kriminale, duke lidhur fort organizatorët dhe anëtarët e grupeve kriminale që veprojnë në territorin e të dy vendeve, me qëllim që të bëjnë fitime të mëdha. Llazoviq dhe Vocaj vlerësuan se realizimi i aksionit “Terminal” është tregues i bashkëpunimit të suksesshëm deri më tani, por gjithashtu se duhet të vazhdojë në atë drejtim duke forcuar bashkëpunimin operacional.

SHARE