MITSOTAKIS: BE-ja TË INTEGROJË BALLKANIN BRENDA VITIT 2033

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi të premten se Bashkimi Evropian duhet të sigurojë brenda vitit 2033, integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në atë që ai e quajti “një hap ambicioz por të nevojshëm”. Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë i ka dhënë një ndjenjë të re urgjence nevojës për të lidhur Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën dhe Kosovën më afër me 27 vendet anëtare të BE-së, pjesërisht për t’iu përgjigjur rritjes së ndikimit rus dhe kinez në rajon. Kjo qasje mund të përfshijë anëtarësim të plotë ose një komunitet alternativ. Në një artikull të botuar në ‘Politico’ përpara samitit që do mbahet në Greqi, mbi Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Mitsotakis tha se BE-ja duhet të tregojë se kur “parashtron një vizion, ajo ka synimin dhe kapacitetin për ta ndjekur atë”. Vizioni i pranimit në BE për rajonin, tha ai, është bërë “i paqartë, duke u zbehur në sytë e qytetarëve të frustruar dhe të zhgënjyer”, ndërsa zgjerimi i BE-së ka ngecur vitet e fundit për shkak të shqetësimeve të sigurisë, qeverisjes dhe migrimit. “Mesazhi im sot është i qartë: në përputhje me kriteret e përcaktuara, le të ofrojmë integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2033 – një afat kohor ambicioz por i arritshëm. Kjo është shumë e vonuar,” tha Mitsotakis.

SHARE