KOSOVA PAJISET ME KAMIONË USHTARAKË NGA GJERMANIA

Kosova i ka marrë të enjten në një ceremoni në Prishtinë pesë kamionë ushtarakë në vlerë rreth tre milionë euro si mbështetje nga Gjermania.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se kjo ndihmë do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“[Donacioni prej] 2.7 milionë eurosh që pranuam sot janë në vazhdën e donacioneve prej 3.5 milionë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë”, tha Maqedonci.

Ai tha se Gjermania ka luajtur rol të “jashtëzakonshëm” në rritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Mbështetja me automjete ushtarake për forcën është vetëm njëra nga fushat ku gjermania kontribuon ndjeshëm për sigurinë e vendit tonë”, shtoi ai.

Përveç pesë kamionëve donacion, Kosova do t’i blejë edhe 10 kamionë të tillë ushtarakë gjermanë me mjete nga buxheti i vet, sipas ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.

“Dua ta theksoj edhe sot se marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera… bashkëpunimi me FSK-në po bëhet çdo herë e më i ngushtë, posaçërisht në fushën e sigurisë”, tha Rohde.

Kamionët ushtarakë HX3, sipas kompanisë gjermane që i prodhon Rheinmetall, shërbejnë për të kryer operacione taktike dhe logjistike në kushte sfiduese dhe në terrene të vështira.

SHARE