FILLON OPERIMIN BURSA SHQIPTARE E ENERGJISË

Përmes ankandit të parë të tregut të ditës në avancë, ka nisur operimin Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX), ndërsa prezantimi është bërë gjatë një aktiviteti me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga Shqipëria dhe Kosova.  Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, në fjalën e saj në aktivitet tha se Shqipëria sot është në një nga pozitat më të mira në rajon përsa i përket strategjisë energjetike. “Ky është vetëm hapi i parë, pra zyrtarisht tashmë kemi një Bursë Energjetike, e dyta në rajon, e cila i përket Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Prioritet, Qeveria Shqiptare ka mbrojtjen e konsumatorit final, e familjarëve, e bizneseve nga çmimet marramendëse të tregut, të cilat sigurisht duken sikur janë stabilizuar, por askush nuk di të thotë se çfarë do të ndodh në verë. Ashtu siç askush nuk dinte të thoshte se çfarë ndodhi në 2022”, tha Balluku. Balluku theksoi se tashmë e kanë të qartë që diversifikimi i burimeve të rinovueshme është synimi i tyre kryesor. Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, gjatë fjalës së saj në aktivitet theksoi se tregu i përbashkët siguron mundësi të reja biznesi dhe më shumë tregti ndërkufitare. “Sot po e hapim ALPEX-in në një kohë kur Evropa e gjen veten në një pikë kthese historike. Përderisa mbrojmë kolektivisht vlerat tona, paralelisht na mbetet që të nxjerrim mësimet e nevojshme për të afruar politikat tona me politikat evropiane. Sektori i energjisë pa dyshim mbetet më i prekuri duke rritur barrën për qeveritë dhe qytetarët tanë. Në këtë kontekst është bërë më e qartë se kurrë sesa e rëndësishme është që të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira”, tha Rizvanolli. Në aktivitet mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, cila e konsideroi të rëndësishme Bursën Shqiptare të Energjisë. “Ndërsa Shqipëria integron tregun e saj me Kosovën po e shohim këtë edhe si një bazë për integrimin brenda Ballkanit Perëndimor si dhe Ballkani Perëndimor që integrohet brenda Evropës. Kjo është arsyeja pse është diçka kaq e rëndësishme. Me këtë projekt nënkuptojmë një çmim më efikas të energjisë elektrike dhe përdorimin efikas, do të thotë të dhëna transparente dhe të besueshme për investitorët në sektorin e energjisë”, tha Kim.

SHARE