Bashkimi Evropian është duke insistuar që Kosova dhe Serbia e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të, pasi në të kundërtën do të përballen me pasoja. Lidhur me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje është deklaruar të martën sërish, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai është përgjigjur në pyetjet rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është cituar – nga mediat në Serbi – të ketë thënë se do t’i zbatojë disa pjesë të Marrëveshjes, por disa tjera nuk do t’i pranojë. Duke u përgjigjur në pyetjen se “a është e vdekur Marrëveshja, pasi njëra palë thotë se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj”, zëdhënësi i BE-së ka thënë se “Marrëveshja është gjithsesi e gjallë dhe në lëvizje“. “Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj“, ka thënë Stano duke shtuar se moszbatimi do të ketë pasoja edhe për reputacionin ndërkombëtar. Sipas tij, zbatimi është kyç për palët që të dëshmojnë se sa janë partnere të besueshme për BE-në dhe vendet anëtare. Mes tjerash, Stano ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.