Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Një vizion i guximshëm zhvillimi, një angazhim i vendosur për të investuar te njerëzit, së bashku me standardet e reja të bashkëpunimit ndërkombëtar, do ta bëjnë Malin e Zi të jashtëzakonshëm dhe një vend me mundësi dhe arritje të jashtëzakonshme, tha kryeministri Millojko Spajiq në Samitin e Qeverisë Botërore 2025 në Dubai.
Duke folur në Forumin kushtuar shërbimeve qeveritare, kryeministri Spajiq tha se çdo sukses fillon me një vizion të guximshëm dhe një përkushtim të fortë për të investuar te njerëzit.
“Një nga nismat tona kryesore është ISKRA – një program kombëtar revolucionar që synon ngritjen e nivelit të shkrim-leximit digjital në të gjithë Malin e Zi. Megjithatë, ISKRA nuk është vetëm një ndërmarrje edukative. Ajo simbolizon angazhimin tonë për të lidhur aftësitë me mundësitë. Qëllimi ynë është që çdo qytetar jo vetëm të ketë qasje në aftësi, por edhe mjete për të eksploruar mundësitë që do t’i ndihmojnë ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë”, tha Spajiq.
Kjo ambicie, shtoi ai, shkon përtej kufijve të Malit të Zi dhe projekti do të jetë unik në atë pjesë të botës. Kryeministri malazez tha se Mali i Zi po bën hapa të guximshëm drejt modernizimit digjital, duke investuar në sisteme që përmirësojnë transparencën, efikasitetin dhe ofrimin e shërbimeve dhe shtoi se vendi ynë është i gatshëm të testojë dhe zbatojë zgjidhje inovative.
“Edhe pse të vogël në popullsi, ne jemi të pasur me talent dhe ambicie. Kreativiteti dhe vendosmëria jonë na lejojnë t’i kthejmë idetë e reja në rezultate. Për të zhbllokuar këtë potencial, ne duhet të përballemi me realitetin që sistemet tona qeveritare shpesh mbysin inovacionin dhe përshtatshmërinë. Nevojitet një ndryshim në kulturën e menaxhimit – një zhvendosje nga proceset që kanë prioritet përputhshmërinë në ato që i japin përparësi rezultateve. Ne duhet t’i bëjmë kornizat tona burokratike më të shkathëta, duke inkurajuar bashkëpunimin midis atyre që planifikojnë dhe zbatojnë politika publike, në mënyrë që të mundësojmë ndryshime efektive,” tha Spajiq.
Samiti, i cili mbledh së bashku më shumë se 30 krerë shtetesh dhe qeverish, 140 delegacione qeveritare dhe mbi 6,000 pjesëmarrës, analizon sfidat dhe mundësitë kryesore në një botë që ndryshon me shpejtësi.
Forumi i Shërbimeve Qeveritare mblodhi liderët botërorë nga sektori publik dhe privat për të hartuar të ardhmen e shërbimeve qeveritare në dritën e teknologjive të reja, duke eksploruar pritshmëritë në rritje të qytetarëve.