PETKOVIQ: KOSOVA NUK MUND TË RISHKRUAJË MARRËVESHJET E BRUKSELIT

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shkelje të marrëveshjeve në Bruksel, veçmas atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Përmes një njoftimi për media, Petkoviq tha se Kurti nisi vitin 2024 duke mohuar zotimet që Kosova ka marrë në Bruksel sa i përket Asociacionit.

Më herët gjatë 11 janarit, Kurti deklaroi se Asociacioni nuk është prioriteti kryesor për normalizimin e raporteve me Serbinë, por Marrëveshja Bazë që palët arritën në shkurtin e vitit të kaluar, së bashku me Aneksin për zbatimin e saj një muaj më pas.

“Kurti as nuk mund të rishkruajë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel 11 vjet më parë, zbatimi i së cilës garantohet nga Bashkimi Evropian, as nuk mund të shkruajë apo të flasë asnjë fjalë pa sulmuar Beogradit dhe serbët në Kosovë, sepse kjo është e vetmja gjë që ai di të bëjë”, tha Petkoviq, duke e akuzuar Kurtin se është “burimi kryesor” i paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.

Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve për dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët ta zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.

SHARE