Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka marrë pjesë sot si folës në konferencën rajonale – Shaping the Future of Government Technologies (GovTech), në Tiranë.
Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Shqipërisë janë tradicionalisht të mira dhe miqësore, të bazuara në interesa të ngushta ekonomike dhe të tjera, në vlera të përbashkëta dhe në një perspektivë të përbashkët evropiane.
Eksperiencat e Shqipërisë dhe rajonit në tërësi në fushën e zhvillimit dhe digjitalizimit të eQeverisjes janë shumë të rëndësishme për Malin e Zi në rrugën e zhvillimit të tij digjital.
“Teknologjitë e së ardhmes janë një mundësi, jo vetëm një sfidë. Inteligjenca artificiale paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për përshpejtimin e procesit të digjitalizimit dhe modernizimin e shërbimeve publike. Si Ministri e Administratës Publike të Malit të Zi, ne jemi të përkushtuar në zhvillimin dhe zbatimin e strategjive që do të krijojnë një infrastrukturë të qëndrueshme të orientuar drejt qytetarëve, duke përdorur IA si motor të zhvillimit”, theksoi ministri Dukaj.
Ai tha se në këtë kontekst, Strategjia për Inteligjencën Artificiale e Malit të Zi paraqet një hap të rëndësishëm dhe se kjo strategji shërben si udhërrëfyes i detajuar për zbatimin e zgjidhjeve të IA në sektorët kyç të administratës publike, në bashkëpunim me të gjithë aktorët përkatës.
Në këtë konferencë, ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor patën mundësinë të prezantojnë progresin e arritur dhe synimet që duhet të arrihen përmes rolit të qeverive dhe departamenteve në krijimin e hapave të ardhshëm në fushën e reformës së administratës publike.
Dukaj theksoi se në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike është themeluar një drejtori e specializuar, e cila është plotësisht e përkushtuar në fushën e IA. Kjo drejtori do të monitorojë dhe mbështesë zbatimin e strategjisë malazeze dhe do të zhvillojë zgjidhje të reja.
“Bashkëpunimi ynë aktiv ndërkombëtar është një aspekt tjetër i rëndësishëm. Ne morëm pjesë në Samitin Global Gitex në Dubai, ku diskutuam mundësitë dhe sfidat e ekonomisë globale të IA. Trajnimi i ekipit tonë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët janë elementë kyç të progresit tonë”, tha Dukaj.
U konstatua se sfidat janë të përbashkëta dhe se për t’u përmirësuar duhet të zgjidhen me bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash.